Tahiri kritikon Qeverinë: Me Kurtin s’mund të anëtarësohemi në BE asnjëherë
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë për dështim dhe paaftësi e sipas tij kjo u dëshmua edhe nga Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën.
Tahiri ka thënë se ky raport është më negativi që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, raporton Zeri.info.
“Për Bashkimin Evropian, shqetësues mbetet fakti, që disa ligje vitale janë miratuar përmes procedurës së përshpejtuar, pa marrë në konsideratë nevojën për konsensus. Kjo, siç kemi tërhequr vëmendjen, gjithnjë si Aleancë, ka rezultuar me ligje të dobta dhe që nuk i përshtaten nevojave dhe kërkesave të kohës. Nisur nga ky sfond, të njëjtat ligje me të drejtë janë sfiduar në Gjykatën Kushtetuese. Për BE-në, mungesa e vullnetit për konsensus dhe praktikimi i procedurës së përshpejtuar, është defekt dhe dështim demokratik”, shkroi ai në Facebook.
Tahiri ka thënë se me Qeverinë Kurti, Kosova mund ta harrojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, sepse dështimet po vijnë një nga një në shumë fusha.
“Me këtë Qeveri, shlirë, mund ta harrojmë antarësimin në BE! Ndoshta energjitë janë shterrur, duke ikur nga disa tema në të cilat kjo Qeveri nuk ka guxim as lidership!
Si konkluzion, ky Raport në historinë e post-pavarësisë është me negativi për Kosovën”, shkroi ai më tej. /Zëri