“Trepça” dënon sulmin ndaj ushtruesit të detyrës së drejtorit në minierën në Stan Tërg

Ndërmarrja “Trepça” ka dënuar sulmin fizik ndaj ushtruesit të detyrës së Udhëheqësit të Njësisë Biznesore Minierat me Flotacion, Trepça Stan Tërg, Bahri Karaça.

Në reagimin e bërë për media thuhet se sulmi ndaj Bahri Karaçës është akt i ulët.

“Lajmi i trishtë për sulmin ndaj ushtruesit të detyrës se Udhëheqësit të Njësisë Biznesore Minierat me Flotacion Trepça Stan Tërg, Bahri Karaça, me datën 10/11/2023 Bordin Mbikëqyrës i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Trepça Sh.A ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme për të diskutuar këtë veprim dhe për të shprehur indinjatën tonë për këtë akt të ulët në ambientet e punës.
I gjithë Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i urojmë shëndet dhe kthim sa me parë të Karaça në vendin e punës si dhe bashkëndjejmë me familjen e tij për këto ditë sfiduese”, thuhet në reagim.Tutje, Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj Karaça, duke shtuar se mirëpresin ndërmarrjen e masave të shpejta nga organet e rendit për këtë veprim.

“Sjelljet e tilla nuk përkojnë me punëtorin tone dhe me vlerat, vizionin e misionin që në aspirojmë t’i ndërtojmë në ndërmarrjen Trepça Sh.A, e aq më pak kur sjelljet e tilla kryhen në vendet e punës. Siguria dhe mirëqenia e punonjësve të Trepçës janë prioriteti ynë kryesor. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër çdo forme dhune apo dëmi që u shkaktohet punonjësve tonë dhe ju sigurojmë që jemi shumë të përkushtuar të punojmë me zell për të eliminuar akte të tilla nga vendi ynë i punës dhe për të nxitur një mjedis që mbështet parimet e respektit, bashkëpunimit dhe profesionalizmit”, vijon reagimi.Sulmin ndaj Bahri Karaçës e ka konfirmuar edhe policia.

Policia kishte njoftuar se ai ishte sulmuar fizikisht në ambientet e punës.

“Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që i njëjti, për motive të panjohura ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur nga Policia e Kosovës.