Si e shohin ekspertët ftesën e Speciales për Haxhiun si dëshmitare në rastin e Deharit

Një status që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, postoi në Facebook, u bë shkak që ajo të ftohej nga Prokuroria Speciale për intervistim.

Në autorizim, thuhet se Haxhiu duhet të jap informacione lidhur me postimin e saj.

“Të sqarohet cilat janë ato prova për të cilat ajo pretendon dhe nëse po, kush janë kryesit e veprës penale sipas saj”, thotë Prokuroria Speciale në Kosovë.

Për këtë ftesë njohësit e çështjeve juridike kanë këndvështrime të ndryshme.

Avokati, Ardian Bajraktari thekson se ky nuk është rasti i vetëm kur udhëheqës institucional ftohen për të dëshmuar.

E në këtë situatë, ajo duhet t’i përgjigjet ftesës.

“Kemi të bëjmë me një rast tejet të ndjeshëm. Është brenda parametrave ligjor dhe si rrejdh e kësaj edhe përgjigjja e ministres Haxhiu është brenda përgjegjësive ligjore që ka çdo qytetar i Rep. të Kosovës i cili ftohet nga organet ligjzbatuese, duke qenë se nuk është në mesin e dëshmitarëve siç njihen të privilegjuar sipas nenit 123 të Kodit të procedurës penale të cilët nuk mund të dëshmojnë”, tha avokati.

Ndërkaq, avokati Arbër Jashari e sheh si të pakuptimtë thirrjen e Prokurorisë.

Pasi sipas tij, në rastin e Deharit kjo gjë nuk mund të zbardhë ndonjë informatë.

“Është një ftesë krejtësisht e panevojshme. Nëse Albulena Haxhiu kish pas ndonjë informatë lidhur me vrasësit e Astrit Deharit nuk kish prit me i ardh ftesë hiç, ajo kish shku vet kish dëshmu. Në aspektin procedural është krejt në rregull të ftohet sepse as ministrja as dikush tjetër ska imunitet dhe duhet t’i përgjigjet organeve ligjzbatuese”, tha Jashari.

Pas ftesës nga Prokurori i Special, Afrim Shefkiu, e para e Ministrisë se Drejtësisë ka reaguar përsëri përmes një statusi duke thënë se “Ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë prokuror e as gjyqtar, gjë e thjeshtë që duhet ta dijë një prokuror”.