Hajdari pyet opozitën se çka i pengoi te Ligji për Investime që e dërguan në Kushtetuese
Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Investime të Qëndrueshme e në lidhje me këtë ka reaguar ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.
Ajo ka thënë se ky ligj u pa si progres për vendin në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, raporton Zeri.info.
Hajdari pyet opozitën se çka i pengon te ky ligj, teksa aludon se opozitën në fakt e pengojnë punët e mira të Qeverisë.
“Është për t’u habitur se si disa opozitarë, ngrisin zërin kinse për të mirën qytetare, por kur një ligj për të mirën qytetare sillet në tavolinë, ata e përbuzin pa e menduar pikërisht dëmin që iu shkaktojnë qytetarëve dhe Republikës së Kosovës”, shkroi ajo në Facebook.
Ministrja Hajdari ka thënë se ky ligj është në përputhje edhe me Rregulloren (BE) 2019/452 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian, e 19 marsit 2019, për themelimin e kornizës për verifikimin e investimeve të huaja direkte në Bashkimin Evropian.
“ Me Ligjin për Investime të Qëndrueshme, investitori i huaj ka të njëjtat të drejta dhe detyrime ligjore sikurse investitorët vendorë duke iu nënshtruar legjislacionit vendor dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës.
Tendenca për ta bllokuar zbatimin e këtij ligji përveçse do të ketë ndikim negativ të drejtëpërdrejtë tek bizneset dhe tërheqja e investitorëve të huaj, poashtu do të pamundësojë zbatimin e reformave në përputhje me kërkesat e BE-së”, shkroi ajo ndër tjera. /Zëri