Ekzekutohet me nëntë plumba 53-vjeçari shqiptar në Ekuador
Arjan Rizaj, 53-vjeçar shqiptar, është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme me armë zjarri në Ekuador.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, ku Rizaj u qëllua ndërsa ishte në automjet jashtë spitalit Luis Vernaza, në Guayaquil.
Rizaj ndodhej në spital pasi bashkëshortja e tij kishte babanë e sëmurë, i cili ndodhej në spital.
Sipas asaj që raportohet, shqiptari dyshohet se është sulmuar nga persona të cilët kanë mbërritur me një motoçikletë.
Sipas informacioneve paraprake nga Policia Kombëtare, ata kanë përdorur një armë zjarri të kalibrit 9 milimetra, shkruan Euronews.al.
Ata tentuan ta shtronin me urgjencë burrin në spitalin Luis Vernaza, por më pas ai u dërgua në klinikën Panamericana, ku për shkak të plagëve të marra ka humbur jetën.
Sipas dëshmisë që ka dhënë bashkëshortja e tij, Rizaj nuk punonte sepse ishte pa dokumente dhe se ishin të afërmit që i dërgonin para nga Shqipëria dhe Kanadaja.
Kjo ngjarje ka ndodhur në të njëjtën ditë kur Dritan Rexhepi u arrestua në Turqi, lajmi për kapjen e tij u përhap më 10 nëntor.
Rexhepi kërkohej nga Shqipëria nga Italia. Përveç kësaj, ai u largua nga Ekuadori, ku duhej të paraqitej si pjesë e masave të para-lirimit për një dënim për trafik droge.