Haziri: Hovenieri doli e foli për Asociacionin për t’ia hequr popullit frikën që Kurti e mbolli
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se adresimi i ambasadorit të SHBA-së, Jeff Hovenier për media në lidhje me Asocacionin është bërë për popullin e Kosovës, që sipas tij ta largojë frikën nga “Zajednica” që kryeministri, Albin Kurti e ka mbjellë për vite si opozitar.
Haziri ka thënë se Kurti si kryeministër nuk e largojë frikën që e mbolli.
“Po debatohet e analizohet se kujt ia adresoi mesazhin ambasadori amerikan, shkëlqesia e tij, Hovenier. Shumë e drejtë, por mesazhi është për popullin e Kosovës, për t’ia larguar frikën nga Zajednica që e mbolli vetë Albin Kurti opozitar! Albini u ba Kryeministër, por frikën që e mbolli, nuk e largoi. Përkundrazi!”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Ndryshe, dje Hovenier në një deklaratë para mediave ka thënë se draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.
Hovenier ka thënë se fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe një prej dispozitave të draftit është se ai do të analizohet nga kjo gjykatë.