Ben Blushi zgjedh Prishtinën për ta promovuar “Komplotin”
Autori i njohur shqiptar Ben Blushi ka zgjedhur Prishtinën për ta promovuar romanin e tij të fundit “Komploti”.
Blushi ka treguar se arsyeja që ka vendosur të promovojë librin në Prishtinë është sepse në këtë libër flitet edhe për Kosovën. Romani është një lloj parashikimi për vitin 2044, kur për shkak të lëvizjeve demografike ndodhin disa ndryshime të çuditshme në Shqipëri, shkruan Zeri.info.
Autori gjatë promovimit të librit ka ndarë detaje në lidhje me romanin, duke rritur edhe më shumë kureshtjen për ta lexuar atë.
“Nuk jam rastësisht në Kosovë, arsyeja pse hera e parë ky libër prezantohet në Prishtinë, është për shkak se libri është edhe për Kosovën, në libër bëhet fjalë për vitin 2044, të gjithë mendoni se çka do të ndodhë pas 20 vjetësh në Kosovë, Shqipëri, Evropa në përgjithësi. A do jetë kjo që është? A do jetë ky rend? A do të ketë demokraci? A do të kthehet diktatura? A do jenë shqiptarët më pak apo më shumë?”, tha Blushi gjatë promovimit të librit mbrëmë në Prishtinë.
Ai përshkroi shkurtimisht romanin, i cili në mënyrë imagjinare zhvillohet në vitin 2044, kur në Shqipëri komuniteti i dytë më i madh bëhen afganët dhe fillojnë të organizohen edhe politikisht, duke marrë bashki dhe pozita të larta në Qeverinë e Shqipërisë.
“Në vitin 2044 në Shqipëri për shkak të zbrazjes demografike, pas 20 vjetësh mund të jemi 1.5 milion banorë, sipas parashikimeve të OKB-së, për shkak se ka më pak shqiptarë dhe komunitetet emigrante janë shtuar, ne kemi sot 2-3 mijë afganë për shkak se talibanët morën pushtetin në Afganistan dhe tashmë ata janë në Shëngjin. Me qenë se popullsia e Shqipërisë zvogëlohet, afganët rriten, lindin më shumë, janë pak më shumë energjik si popull dhe sipas librit, në vitin 2044 janë 200 mijë afganë dhe meqenëse ata janë rritur në bashkinë e Shëngjinit, sipas romanit, ata organizohen dhe kryetar i bashkisë bëhet një afgan dhe organizohen politikisht”, tregoi autori.
Ai shpjegoi se libri është edhe për Kosovën, pasi për shkak të këtyre ndryshimeve demografike në Shqipëri, ministër i Mbrojtjes bëhet një afgan dhe ironikisht ai tenton të bashkojë Kosovën dhe Shqipërinë.
“Një prej afganëve futet në Qeverinë e Shqipërisë dhe bëhet ministër i Mbrojtjes, ditën që merr detyrën ai thotë se do të bëjë diçka që shqiptarët nuk e kanë bërë 100 vjet, do të shkojë të bashkojë Kosovën me Shqipërinë dhe në mënyrë ironoke këtu nis ballafaqimi mes afganëve dhe shqiptarëve...”, përshkroi romanin Blushi.
Sigurisht që të gjitha këto kanë rritur edhe më shumë kureshtjen tuaj që të lexoni sa më shpejt romanin e autorit, i cili njihet për krijimtarinë letrare me vëllimin “100 ushtarë”, me romanet “Të jetosh në ishull”, “Otello”, “Shqipëria”, “Kandidati” dhe “Kryeministri” . /Zëri