Me ndryshimet klimatike Toka po bëhet një territor i paeksploruar

Zjarre të mëdha përfshinë Kanadanë, Greqinë dhe Havain apo valë të nxehti rekord që nuk ishin regjistruar ndonjëherë apo uragane me egërsi befasuese, si ai që shkatërroi Akapulkon javën e kaluar.

”Ky vit ka paraqitur prova të qarta se Toka është tashmë një territor i paeksploruar me ndryshimet klimatike”, thonë shkencëtarët.

Këto fenomene tregojnë se nuk është bërë përparim i madh në reduktimin e emetimeve të gazrave serrë dhe si pasojë pritet që gjysma e popullsisë së botës mund të përballet me temperatura ekstreme, mungesë ushqimi dhe uji.

Ky është përfundimi i një studimi të ri nga studiues në Universitetin Shtetëror amerikan të Oregonit dhe institucione të tjera në mbarë botën, i cili ka tërhequr vëmendjen në rritje që nga publikimi i tij javën e kaluar.

“Si shkencëtarë, na kërkohet gjithnjë e më shumë t’i tregojmë publikut të vërtetën për krizat me të cilat përballemi në terma të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë. E vërteta është se ne jemi të tronditur nga egërsia e ngjarjeve ekstreme të motit në vitin 2023. Kemi frikë nga territori i paeksploruar në të cilin kemi hyrë tani”, shkruajnë studiuesit.

”Nga 35 shenjat vitale të shëndetit planetar, 20 janë në nivele rekord dhe shumica në një mënyrë të dëmshme për mjedisin”, përfunduan shkencëtarët.

Megjithëse energjia e rinovueshme është në rritje dhe varfërimi i pyjeve tropikale po ngadalësohet, aciditeti i oqeaneve, trashësia e akullnajave dhe masa e akullit të Groenlandës kanë rënë në nivelet më të ulëta historike në dy vitet e fundit, ndërsa emetimet e gazrave serrë, rritja e nivelit të detit dhe temperaturat e oqeanit janë rritur në nivele rekord. /abcnews