“Lëvizja për braktisjen e fesë islame” në Deçan, reagon BIK-u: Po sulmohet Islami, ka elemente përçarëse
Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan ka reaguar lidhur me formimin e “Lëvizjes për braktisjen e fesë islame”.
KBI në Deçan thotë se kjo lëvizje nuk ka qëllime të mira dhe se nga kjo lëvizje vërehen elemente përçarëse dhe nxitje të urrejtjes fetare.
“Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, shpreh indinjatën e thellë lidhur me formimim e të të ashtuquajtures “Lëvizje për braktisjen e fesë islame”, meqë siq u pa e ndegju ajo ska qellime tmira per shoqerin tonë, aty vërehen elemente përçarëse dhe nxitje të urrejtjes ndër-fetare, si dhe mos durim fetar dhe njerëzor”, thuhet në reagim.
Sipas KBI-së në Deçan, lëvizjet e tilla kanë tendenca qëllimkëqija dhe atakojnë atmosferën e besimit islam në Kosovë.
“Ju kujtojmë se populli ynë me besimin islam, dhe besimet e tjera, ka ditur të ruajë dhe kultivojë paqen dhe tolerancen ndër-fetare, fakt i çmuar shumë përgjatë historisë sonë. Mbështetur në këtë fakt, lëvizjet e tilla kanë tendenca qëllimkëqija dhe atakojnë atmosferën e shkëlqyeshme të ndërtuar me shekuj tek ne, sepse me këtë, veçanërisht sulmohet Islami. Secili është i lirë ta zgjedhë besimin e vet dhe ta praktikojë atë, por nuk ka të drejtë të bëjë përçarje dhe sulmojë të tjerët në asnjë mënyrë”, thuhet mes tjerash në reagim.
Ndërkaq, KBI u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve e as përçarjeve të tilla. /Zëri