Zvogëlohet lista e pritjes për rezonancë magnetike (MRI) në QKUK

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se është zvogëluar lista e pritjes për Rezonancë Magnetike në QKUK.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media.

“Bazuar në raportin e Klinikës së Radiologjisë, është zvogëluar lista e pritjes për raste ambulantore për rezonancë magnetike (MRI), në vetëm tre muaj e gjysmë, nga më shumë se një vit sa ishte më parë, përderisa për pacientët e shtrirë në klinika, nuk ka fare listë të pritjes”, thuhet në njoftim.

Bazuar në raportin 9-mujor të punës, në Klinikën e Radiologjisë janë kryer 9 mijë e 683 Rezonanca Magnetike, 23 mijë e 751 pacientë në Tomografi të Kompjuterizuar (CT).

“Brenda muajit, në Klinikën e Radiologjisë u kryen 12 mijë e 500 deri në 14 mijë ekzaminime të ndryshme diagnostike për pacientët”, thuhet në njoftim.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës aktualisht ka në funksion tri rezonanca magnetike, gjë që ka mundësuar që të bëhet reduktimi i listave të pritjes.

Këtë reduktim e ka ndihmuar edhe instalimi i aparatit të rezonancës magnetike në Spitalin e Pejës. /Zëri