“Deepfake” në përhapje në Kosovë dhe Shqipëri: Si dallohet, kush përfiton dhe kush dëmtohet?

“Deepfake” kohëve të fundit është në rritje.

Persona të ndryshëm po krijojnë video me imazhin e personaliteteve publike dhe kjo ka zënë vend edhe në Kosovë e Shqipëri, e që në fakt nuk janë ata, të vërtetit, as mesazhet s’janë të tyre.

Gjithë këtë e ka bërë të mundur inteligjenca artificiale.

Javët e fundit ka një rast të publikimit të një videoje, ku duket sikur të jetë këngëtarja dhe moderatorja Luana Vjollca. Publikimi i kësaj videoje bëri të kishte reagime të shumta në publik edhe vetë ajo ku tha se nuk duhet heshtur.

Por çfarë është “Deepfake” më në saktësi?

Deepfake është manipulim audioviziv që realizohet përmes inteligjencës artificiale. Zhvillimi i hovshëm i programeve të inteligjencës artificiale bën që ky lloj manipulimi të bëhet edhe më i rrezikshëm, sepse programet po bëhen më lehtë të përdorshme nga secili.

Sipas gazetarit në Hibrid.info, Festim Rizanaj “Deepfake” ka pasoja të ndryshme te personazhet që preken nga kjo dukuri.

“Këto identitete mashtruese mund të përdoren gjithashtu për pastrim parash. Deepfake mund të rrisin skemat tradicionale të mashtrimit, si mashtrimi i pagesave, hakimi i e-mailave ose pastrimi i parave. Kriminelët kibernetikë mund të përdorin Deepfake për të hyrë në asete dhe të dhëna të vlefshme”, tha Rizanaj për Klankosova.tv.

E që publiku ta dallojë një video Deepfake është e mundur shumë lehtë, sipas tij.

”Duhet të kihet parasysh në përmbajtjet Deepfake në elemente kryesore për t’i dalluar si, sytë, fytyra, flokët, dhëmbët, sinkronizimi i zërit, trupi apo qëndrimi”.

Sipas Rizanaj disa shtete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës  kanë miratuar legjislacionin për ndalim të Deepfake, ndërsa tregoi se ajo si mjet mund të përdoret edhe për qëllime të mira.

“Deepfake janë përdorur në filma për qëllime të ndryshme, të tilla si rikthimi i aktorëve të vdekur në ekran, krijimi i efekteve speciale hiper-realiste dhe madje zëvendësimi i aktorëve me dyshe digjitale. Një nga përdorimet më të dukshme të teknologjisë Deepfake në filma është krijimi i një vazhdimësie të një shfaqjeje pas humbjes së një aktori ose paaftësisë së tij për të performuar për shkak të lëndimit” tha ai.

Profesori universitar, Dren Gërguri thotë se lexuesi apo shikuesi duhet të ketë një gjykim kritik mbi informacionin që i jepet.

“Ndaj këtyre informacioneve, tri pyetjet mund t’u ndihmojnë para se të besojnë një përmbajtje mediale të cilës u janë ekspozuar, kush është autori i informacionit, lajmit apo videos; të kërkojë informacione edhe në burime të tjera; dhe të analizojë burimet mbështetëse të përmbajtjes mediale”, tha Gërguri për klankosova.tv.

Ndërsa Gërguri tregoi se hera e parë kur është përdorur Deepfake ka qenë para pesë vjetësh nga një parti politike në Belgjikë.

Ndërkohë eksperti i IT, Blerim Gjeladini ka reaguar për videot Deepfake që u publikuan javën e fundit.

“Në Turqi, disa mashtrues kanë përdorur të njëjtën metodë për të shantazhuar njerëz duke përdorur zërin dhe video të manipuluara të Presidentit Erdogan”, ka shkruar ai.

E aktori Florjan Binaj tha se shteti duhet që të përpilojë një ligj ku të dënohen personat që bëjnë manipulime.

“Kio është një kambanë alarmi për të ardhmen e të gjitha vajzave, motrave, nënave, zonjave e zonjushave që u rrezikohet dinjiteti, nderi, familja, profesioni, jeta nga përdorimi i inteligjencës artificiale me dashakeqësinë për t’i bërë të ndihen keq, t’u kërkojnë para ose thjeshtë për t’i përbuzur publikisht”, tha Binaj.

“Duhet vepruar sa më shpejt, të përpilohet një kuadër ligjor që të miratohet ose do mbetet vetëm të paguajmë dëmet e pakthyeshme me jetë njerëzish, ku fatkeqësisht, vajzat janë viktimat e para të këtyre lloj mostrave”, ka vijuar ai.