Mbrojtja emergjente – kontracepsioni emergjent dhe çdo gjë që duhet të dini rreth tij

“Plan B” - pilula edhe kështu ndonjëherë quhet, është tabletë që merret në rast të marrëdhënies seksuale të pambrojtur ose në rast se dështon kontracepsioni i përdorur në rend të parë për mbrojtje ndaj shtatzënisë.

Çdo qift rekomandohet të këtë një formë kontracepsioni që përdor në rast se nuk planifikon shtatzëni, duke u bazuar në atë që është më efikase dhe me më shumë benefite, ngase kjo formë e kontracepsionit emergjent nuk këshillohet të përdoret shpesh dhe në afat të gjatë.

Çfarë saktësisht është “Plani B” dhe si funksionon ai? Le të shqyrtojmë faktet dhe çfarë mund të presësh nëse duhet ta marrësh atë:

Kontracepsioni emergjent ndihmon në parandalimin e shtatzënisë nëse merret brenda 72 orëve pas marrëdhënies seksuale të pambrojtur ose dështimit të formë së kontracepsionit primarisht të zgjedhur. Sa më herët që merret, aq më mirë funksionon.

Ai përmban Levonorgestrel, i njëjti hormon që përdoret në shumë pilula kontraceptive - vetëm në një dozë më të lartë. Nuk duhet përdorur si një metodë kontraceptive e rregullt, pasi nuk është aq efektive. Gjithashtu nuk e mbron trupin nga sëmundjet seksualisht transmisive.

Kontracepsioni emergjent shpesh ngatërrohet me abortin me ilaçe ose "pilulën e abortit". Është e rëndësishme të theksohet se “Plani B” nuk ndërpret një shtatzëni ekzistuese.

Kontracepsioni emergjent funksionon duke ndaluar lëshimin e një veze nga vezorja, d.m.th. ndalon ovulacionin. Ovulimi i vonuar më pas ndodh rreth pesë ditë më vonë. Kjo vonesë është e mjaftueshme për të mbyllur dritaren pjellore, pasi spermatozoidet kanë një kohë mesatare mbijetese prej 3-5 ditësh. Kjo metodë hormonale nuk ka asnjë ndikim në implantimin e një veze të fekonduar. Prandaj, kontraceptivi emergjent nuk çon në një abort ose edhe nuk mund të funksionojë nëse ovulacioni tashmë ka ndodhur.

Po ashtu një element kurioziteti për ta cekur është se te gratë me mbipeshë shkon duke rënë efikasiteti i barit.

Efektet anësore mund të jenë:

· Çrregullime të ciklit menstrual

· Mundim

· Dhembje në fund të barkut

· Lodhje

· Kokëdhimbje

· Marramendje

· Dhembje të gjoksit

· Vjellje.

Nevoja e përsëritur për kontracepsion emergjent

Në situata specifike, mund të jetë e nevojshme përdorimi i përsëritur (madje edhe në të njëjtin cikël).

Për shembull, nëse të vjellat ndodhin brenda tri orëve nga marrja e pilulës, ose nëse ndodh përsëri marrëdhënie e pambrojtur seksuale (në të njëjtin cikël). Në rastin e fundit, rreziku i shtatzënisë është katër herë më i lartë. Për të zvogëluar këtë rrezik, duhet të përsëritet kontracepsioni emergjent. Kur përdoret përsëri, sigurohuni që të përdorni të njëjtën pilulë si herën e parë për të përjashtuar ndërveprimet e mundshme.

Nëse paraqitet nevoja brenda 24 orëve, nuk është e nevojshme të merrni përsëri kontraceptivë emergjentë.

Si gjithnjë, edhe këtë herë rekomandoj që edhe këtë ta bashkëbisedoni me mjekun tua,j duke vlerësuar kundërindikacionet dhe indikacionit për përdorimin e këtij medikamenti.

Dr. Aulona Lulaj-Salihu, specialiste e Gjinekologjisë me Obstetrikë