Brenda 9 muajve, 332 pacientë janë diagnostikuar me kancer të gjirit

Vetëm vitin e kaluar, në Kosovë janë diagnostikuar 547 persona të prekur nga kanceri i gjirit, prej tyre 543 femra dhe 4 meshkuj.

Ky numër është i lartë pasi bazuar në shifrat zyrtare, vetëm për nëntë muajt e këtij viti, janë edhe 332 raste të tjera.

Për këtë arsye, sot filloi fushata vetëdijesuese që të kryhen kontrolle për parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Në nëntë muajt e fundit, 332 pacientë janë diagnostikuar me kancer të gjirit dhe se një në tetë gra është e prekur nga kjo sëmundje. Klinika e Onkologjisë kryen të gjitha trajtimet mjekësore të sëmundjeve malinje.

Numër i madh i pacientëve u panë edhe të hënën teksa hynin e dilnin nga vendi ku luftohet për jetë.

“Shumica nga ta janë raste që janë lajmëruar në kliniken tonë në stade pak më të hershme, në stadin e parë ose të dytë, dhe sot kemi një përqindje të barabartë, gjysma në stadin e parë e gjysma në stadin e dytë”, tha për RTK-në Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë.

E derisa në Klinikën Onkologjike dhjetëra pacientë presin për kimioterapi, në anën tjetër u bë lansimi i fushatës ndërgjegjësuese me moton “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”, ku u kërkua që gratë e vajzat të bëjnë kontrolle rutinore, që kjo sëmundje të parandalohet.

“Fokusi është në zbulimin e hershëm të sëmundjes, për këtë angazhohemi me investime në sistemin shëndetësor dhe me rritjen e vëmendjes dhe të vetëdijes për rëndësinë e ekzaminimeve rutinore”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ministri i Shëndetësisë foli për investimet që janë bërë në aparatura. “Përmes sigurimit të aparaturave, para se gjithash atyre diagnostike, mamografi e re, rezonancë magnetike”, tha Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë.

E gruaja që e ka luftuar vetë këtë sëmundje, Nafije Latifi, e ka një kërkesë për qeverinë.

“Kërkesa jonë është që gratë që janë operuar nga kanceri i gjirit t’iu mundësohet mbulimi i shpenzimeve nga institucionet për ristrukturim të gjirit”, tha Nafije Latifi nga OQJ “Jeta Vita”.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë vitit 2022 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 547 raste të reja me kancer të gjirit, prej tyre katër burra.