“Rasti i 53-milionëshit”, ish-ministri i Infrastrukturës Zharku sot pritet të dëgjohet si dëshmitar
Lutfi Zharku, ish-ministër i Infrastrukturës, sot pritet të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit, në rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Pal Lekajt, Nebih Shatri, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Ndryshe, në seancën e kaluar të mbajtur më 29 shtator 2023 është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe shefi i kabinetit të ish-ministrit Lekaj, dëshmitari Argjend Zejnaj.
Ndërkaq, në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që u vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022 ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.
Ndërsa, më 9 shkurt 2022 PSRK-ja njoftoi se lidhur me këtë rast, më shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi