Kurti dhe drejtorja e përgjithshme e ICMP-së flasin për zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka pritur në takim drejtoren e përgjithshme të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Kathryne Bomberger.

Bombergeri me këtë rast e ka uruar Kurtin për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në ICMP dhe theksoi përkushtimin e përbashkët për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Duke ritheksuar angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vërtetën, për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, kryeministri Kurti falënderoi përfaqësuesit e ICMP-së për angazhimin dhe mbështetjen e dhënë”, thuhet në njoftim.

Kurti, mes të tjerash, tha se përmes angazhimit si anëtare në ICMP, kapacitetet institucionale e profesionale të Republikës së Kosovës do të jenë në shërbim të paqes dhe të adresimit të proceseve të ballafaqimit me të kaluarën kudo.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet ICMP-së dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në Kosovë.

“Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për mundësitë dhe bashkëpunimin e mëtejshëm, për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, më 19 korrik të këtij viti, në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Dren Doli, dorëzuan instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në selinë e ICMP-së në Hagë. /Zëri