Zyrtari i OBSH-së: Njerëzit në Kosovë po vdesin nga sëmundje lehtë të parandalueshme
Simpoziumi Ndërkombëtar për Sëmundjet Jongjitëse ka filluar të mërkurën në Prishtinë, me ç’rast u potencua se sëmundjet jo-ngjitëse janë në thelb “armik i padukshëm” që po shkaktoë vdekje në gjithë botën.
Aty u tha se në Kosovë njerëzit po vdesin nga sëmundje lehtë të parandalueshme dhe se mënyra më e mirë për t’i parandaluar sëmundjet e tilla është mjeku familjar, pra kujdesi primar shëndetësor.
Këtë e tha Oleksandr Martynenko, udhëheqës i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Prishtinë.
E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se këto sëmundje janë vështirë të menaxhuara, prandaj ndërveprimi institucional është i rëndësishëm. Por, sipas tij akterët shëndetësorë po bëjnë maksimumin për t’i adresuar sëmundjet kronike jongjitëse.
Ministri, mes të tjerash, tha se këto sëmundje janë shkaktari më i madh i vdekjeve në botë, prandaj është e rëndësishme që të diskutohet për to. Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se po punohet në ngritjen e buxhetit në 300 milionë euro për trajtimin e këtyre sëmundjeve.
“Faleminderit shumë. Kënaqësi dhe nder i veçantë të marrë pjesë në këtë simpozium, për çështje dhe temë të rëndësishme, që na preokupon të gjithë komunitetin mjekësor dhe institucionet shëndetësore. Kam nderin që të gjithë akterët e interesit po bëjnë maksimumin për të adresuar një çështje kaq të rëndësishme si sëmundjet kronike jongjitëse. Të nderuar përfaqësues nga AQH të cilët po na ndihmoni në koordinimin e shumë çështjeve me rëndësi të madhe për shoqërinë kosovare, të nderuar përfaqësues nga Banka Botërore, sëmundjet kronike jongjitëse janë shpesh të vështira për tu menaxhuar për këtë fakt ndërveprimi midis institucioneve është i rëndësishëm. Sëmundjet kronike jo-ngjitëse kanë shtrirje shumë të madhe, kësaj shtrirjeje nuk i shpëton as Kosova, ato janë shkaktari i numrit më të madh të vdekjeve në botë. Përhapja e sëmundjeve kronike jongjitëse është e lidhur me shumë faktorë, ata gjenetikë, stilin e jetës e të tjerë”.
“Duke qenë që parandalimi në shëndetësi është qasja më e drejtë. Planet natyrisht vetvetiu në sistemin shëndetësor nuk i zgjidhin të gjitha problemet, por japin mundësi në uljen e barrës nga sëmundjet kronike jongjitëse. Po punojmë në ngritjen e buxhetit në 300 milionë në trajtimin e këtyre sëmundjeve. Një nga aspektet më të rëndësishme në trajtimin e këtyre sëmundjeve është edukimi në kujdesin e tyre shëndetësor. Prandaj është e rëndësishme që të ketë edhe përkrahje emocionale dhe shoqërore për të prekurit nga këto sëmundje. Simpoziumi ka rëndësi të veçantë në avancimin e profesionistëve tanë dhe rritjen e politikave shëndetësore, sepse ato duhet të diskutohen dhe rishikohen vazhdimisht. Duke ju dëshiruar sukses në këtë simpozium të gjithëve pa përjashtim dhe mysafirëve ndërkombëtarë, natyrisht se është e mundur të jetojmë një jetë të mirë e të shëndetshme pavarësisht problemeve që i shkaktojnë ato. Nuk kam dyshim se me koordinim do të mund të ja arrijmë këtij qëllimi”, tha Vitia, përcjell EO-ja.
Drejtori i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Naser Sahiti, ndër të tjera tha se këto sëmundje ndryshe quhen sëmundje të heshtura për shkak të tendencës së tyre për t’u zhvilluar ngadalë.
“Është një nder dhe privilegj i madh të ju mirëpres të gjithëve për të trajtuar një temë shumë të rëndësishme, sëmundjet kronike jongjitëse. Sot jemi mbledhur për të diskutuar sëmundjet kronike jongjitëse që përfshijnë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, kancerit, të cilat quhen sëmundje të heshtura sepse kanë tendencë të zhvillohen ngadalë. Në vazhdimësi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë duke realizuar hulumtime për përcjelljen e faktorëve të rrezikut, dhe fushata vetëdijesuese të drejtuara nga individi dhe popullata. Ky simpozium shërben si strategji për tu vetëdijesuar për sëmundjet kronike jongjitëse. Gjatë simpoziumit do të hedhim dritë me anë të profesionistëve ndërkombëtare dhe vendorë. Adresimi i sëmundjeve kronike jongjitëse është një përpjekje kolektive, një betejë që duhet luftuar së bashku. Të ndërtojmë një të ardhme më të shëndetshme për të gjithë qytetarët tanë”, u shpreh Sahiti.
Laurent Torche, zëvendësdrejtor i Zyrës për Bashkëpunim nga Zyra Zvicerane në Kosovë, tha se në Kosovë, sipas një studimi, shkaktari kryesor i këtyre sëmundjeve është ushqyerja jo e duhur dhe mosaktiviteti fizik.
Ai e ripërsëriti interesimin e Zvicrës në promovimin e shëndetit dhe në mbështetjen e edukimit shëndetësor dhe vetëdijesimin e ngritjen e shërbimeve më të mira shëndetësore.
“Jam i lumtur të iu adresohem në këtë rast, ku jemi bashkuar ndaj një sfide globale, përgjegjëse për shkaktimin e vdekjeve të 45 milionë njerëzve. Bazuar në një raport të OBSh-së sëmundjet kardiovaskulare numërojnë 18 milionë, ato të kancerit 9 milionë, 4 milionë ato respiratore. Numri i rasteve të diabetit janë duke u rritur çdo vit e më shumë. Në Kosovë, një studim gjeti se shkaktar kryesor i këtyre sëmundjeve janë 85% ushqyerja e dobët në nutrientë, 70% mungesa ose pakësia e aktivitetit fizik. Për këtë arsye Zvicra ka shprehur interesim për ngritjen e shërbimeve shëndetësore”.
“Kemi fokus të veçantë në sëmundjet jongjitëse. Kjo është qasja jonë për të ngritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Duke filluar nga edukimi shëndetësor dhe promovimi i tyre, me integrimin e kujdesit shëndetësor. Kemi mbështetur dhe do vazhdojmë të mbështesim edukimin shëndetësor për shumë pacientë, si dhe duke u ofruar përkrahje motivuese. Si pasojë ata janë të njoftuar më shumë me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre si pacientë. Thuhet se 85% e sëmundjeve të zemrës dhe 40% e rasteve të kancerit do mund të parandaloheshin me kujdes ndaj faktorëve. Ky event na ofron mundësi për të marrë informata por gjithashtu na hapë drejt strategjisë për të ardhmen. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur partnerët lokalë në sfidën me sëmundjet kronike, në veçanti me grupet më fragjile. Ju uroj diskutim të frytshëm dhe përmbajtjesor”, tha Torche.
Oleksandr Martynenko, udhëheqës i zyrës së OBSh-së në Prishtinë tha se sëmundjet kronike jo-ngjitëse janë në thelb armik i padukshëm. Ai mori shembull viruse të ndryshme dhe numrin e vdekjeve që kanë shkaktuar ato në botë.
Ai tha se 17 milionë njerëz globalisht do të vdesin para moshës 70 vjeçare dhe se çdo dy sekonda vdes një njeri diku në botë si pasojë e këtyre armiqve të padukshëm.
Në prezantimin e tij, Martynenko tha se në Kosovë njerëzit po vdesin nga sëmundje lehtë të parandalueshme dhe se mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjet jongjitëse është mjeku familjar, pra kujdesi primar shëndetësor.
Sa i përket ndikimit në ekonomi që sëmundjet kronike jo-ngjitëse kanë, Martynenko tha se kjo humbje është diku 30 trilionë, e në masë si para të gatshme i bie 2 tonë letër.
“Të padukshme, janë fjalët kyçe të prezantimit, armiku i padukshëm, dëmi i padukshëm dhe numrat e padukshëm. Kosova, rajoni i Evropës por edhe i tërë planeti është ballafaquar në vitet e fundit, dhe ne sot po mund të shohim çka nuk kemi mundur të shohim 70 vite më parë. Do doja të ju tregoja që ky virus morri vitin e kaluar gati 4 milionë jetë, ky tjetri më shumë se 630,000 vite në një vit globalisht, ky i treti globalisht përafërsisht 130 000 jetë. Këta janë armiqtë tanë, marrim teste gjaku, i studiojmë dhe kuptojmë si t’i trajtojmë dhe menaxhojmë. I pari ishte koronavirusi, i dyti HIV-i. Ky armik shkaktoi 41,000,000 vdekje vitin e kaluar. 41 000,000 njerëz vdiqën vitin e kaluar nga sëmundjet kronike jo të ngjitshme. E dimë çka e shkakton HIV-in, ose Covid-19. Kripa të cilën të gjithë ne e marrim në mënyrë të papërgjegjshme, e cila është pothuajse në gjithçka që ne konsumojmë. 74% e popullatës do vdesin nga sëmundjet jongjitëse, diku 17 milionë do vdesin para moshës 70 vjeçare, çdo dy sekonda dikush në botë vdes nga sëmundjet jongjitëse. I bie që diku 100 vetë kanë vdekur që prej momentit që unë fillova të flas. Njerëzit në Kosovë po vdesin nga sëmundje lehtë të parandalueshme. Mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjet jongjitëse është mjeku familjar, kujdesi parësor shëndetësor. 2 tonë në masë peshojnë 30 trilion që paraqet humbjen nga sëmundjet jongjitëse kronike deri në 2030”, tha Oleksandr Martynenko.
Elvir Azizi, drejtor i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, tha se tema e këtij simpoziumi paraqet njëkohësisht edhe sfidën globale të shekullit të 21-të. Ai tha se ShSKUK ka investuar, mirëpo ka akoma hapësirë dhe se shpreson në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë të investojnë në projekte konkrete në trajnim të profesionistëve të mjekësisë.
“Organizimi i këtij simpoziumi është një mundësi e mirë për profesionistët e fushave të ndryshme të shëndetësisë, për të diskutuar për atë që është shndërruar në sfidën globale të shekullit të 21-të. Trajnimi i stafit është me rëndësi shumë të madhe për arsye se SHSKUK ka investuar por jo mjaftueshëm. Shpresoj që në të ardhmen së bashku me ministrinë e shëndetësisë të investojmë në projekte konkrete për trajnimin e profesionistëve shëndetësorë”, u shpreh Azizi.
Xhafer Dugolli, nga Oda e Infermierëve të Kosovës tha se janë të gatshëm të mbështesin të tilla organizime dhe se marrin nga të mirat që shfaqen në simpoziume të këtij formati.
“Në kuadër të këtyre aktiviteteve ne mund t’i gjejmë të mirat që dalim nga zbulimet e më të rejat nga vendet e ndryshme të botës. Ne jemi të gatshëm të mbështesim çdo aktivitet. Ju uroj punime të mbara, organizatorët i përgëzoj për punën”, tha Dugolli.
Fatmire Mulhaxha Kollçaku, kryetare e Komisionit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale tha se ndonëse nuk do arrijnë të “zbulojnë ujin e nxehtë” ndonjëherë, përshtatja e implementimi i strategjive të bëra tashmë dhe përshtatja me rrethanat tona do duhej të bënte.
Sipas Kollçakut, rritja e qasjes së shërbimeve të kujdesit shëndetësor e financimi i qëndrueshëm, me rritje të bashkëpunimit institucional dhe respektimit të të drejtave të pacientit janë pika kyçe sipas kësaj të fundit.
“Sot nuk është një prezantim klasik, unë si epidemiologe ndër vite kam bërë më shumë prezantime shkencore, por sot kam bërë një përmbledhje mbi atë se si duhet të bëhet një strategji. Nuk do e zbulojmë asnjëherë ‘ujin e nxehtë’, ne duhet vetëm t’i implementojmë dhe t’i përshtatim me rrethanat tona. Kur nuk bashkëpunojmë nuk mund të jemi shumë të suksesshëm. Përmirësimi i shëndetësisë dhe rritja e qasjes së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, financim i qëndrueshëm dhe zhvillim i infrastrukturës e përmirësim i teknologjisë, fuqizim i burimeve njerëzore dhe kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimi institucional, dhe më së rëndësishmi të respektohen të drejtat e pacientit. Sa më shumë mjete të ndahen për shëndetësi. Nuk ka zhvillim ekonomik pa shëndet, pa një sistem të mirëfilltë, pa shëndet të mirë të qytetarëve”.