Prokuroria: Sot është gjetur edhe trupi i tretë i një terroristi të vrarë dhe është konfiskuar sasi e armatimit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe mekanizmat relevantë, ka udhëhequr veprimet hetuese edhe gjatë ditës së sotme në vendin e ngjarjes, në Banjskë të Zveçanit.

Prokuroaira ka konfirmuar se, që nga momenti kur ka ndodhur rasti i sulmit terrorist dhe deri në këto momente, Prokurori i rastit, Naim Abazi, ishte i pranishëm intensivisht në vendin e ngjarjes për të siguruar provat në mënyrë sa më adekuate, të cilat do të ndriçojnë tërësisht rrjedhën fatkeqe të rastis të djeshëm terrorist.

Po ashtu, Prokuroria ka konfirmuar se sot është gjetur edhe një trup i pajetë i një personi që dyshohet se kishte vepruar si pjesë e grupit terrorist dhe është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e armatimit, transmeton Zeri.info.

“Faktikisht, PSRK-ja, konfirmon se, sot, në vendngjarje është gjetur një trup i pajetë, i personit të tretë të vrarë, që kishte vepruar si pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe, gjithashtu, po sot, është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e armatimit që është përdorur dhe pritej të përdorej në vijimësi nga pjesëtarët e kësaj bande kriminale”, thuhet në njoftim. /Zëri