Lista Serbe për zhvillimet në veri: Ndodhi ajo që dëshiroi Kurti

Lista Serbe ka reaguar sot për ngjarjet e së dielës në veri.

Lista Serbe në reagimin e tyre u ka shprehur ngushëllime familjarëve të terroristëve të vrarë, por edhe familjes së policit të vrarë Afrim Bunjaku.

Në reagimin e tyre mes tjerash, Lista Serbe ka thënë se do të kërkojnë hetim për vrasjen e dy sulmuesve serbë, që sipas tyre ishin vrarë me gjakftohtësi pas dorëzimit, transmeton Zeri.info

“Po ashtu, themi se do të kërkojmë hetim për vrasjen e së paku dy serbëve të vrarë gjakftohtë edhe pse janë dorëzuar. E pyesim bashkësinë ndërkombëtare pse EULEX-i nuk mori pjesë në operacion, por vetëm policia e Kurtit?”, thuhet në reagim.

Tutje Lista Serbe ka kërkuar prani të shtuar të KFOR-it dhe EULEX-it, ndërsa për ngjarjen ka thënë se ka ndodhur ashtu sic ka dëshiruar kryeministri Albin Kurti.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve për paqe dhe vetëpërmbajtje, sepse është e nevojshme që sa më parë të rivendoset paqja në rrugët tona, në këtë kuptim ne kemi nevojë urgjente që KFOR-i dhe EULEX-i të vendosen në veri dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe të parandalojnë përdorimin e kësaj ngjarje tragjike për politikë”.

“Prej më shumë se një viti ne paralajmërojmë se regjimi në Prishtinë po ushtron presion mbi serbët dhe çdo ditë po përshkallëzon situatën dhe po provokon reagimin e popullit. Me thirrje të panumërta kërkuam nga KFOR-i që të ngrejë forcat e veta dhe të veprojë në mënyrë parandaluese, kërkuam nga bashkësia ndërkombëtare që ta frenonte Kurtin, gjithmonë bënim thirrje për paqe... por më kot. Fatkeqësisht, ndodhi ajo që dëshiroi Kurti”, thuhet në reagimin e Listës Serbe. /Zëri