Dije Demiri Frangu shpërblehet me çmimin “Agim Ramadani” për poezinë “Njerëzit edhe janë të çmendur”

Poetja Dije Demiri Frangu së fundmi është shpërblyer me çmimin “Agim Ramadani” për poezinë ‘Njerëzit edhe janë të çmendur’, në “Takimet e Dom Mikel Tarabuluzit” në Stubëll.

Më poshtë gjeni poezinë fituese:

Njerëzit lexojnë Spinozën shetisin parqeve me Enkidun
Tallen me vdekjen e Sokratit mureve antike ngulin sytë
Si të dashurave mërzinë amforave të lashta ju fshijnë pluhurin
Dashurohen në kokën e trupin e Afërditës të Herës i bëjnë dashnore
Në muskujt e hedhësve të shtizave dashurohen
E në ëndërr shohin statujen e Zeusit
Të gjithë e mendojnë veten aktorë të Bylisit
Leni krejt më mirë besoni se
Janë të krisur në zemër i duan mëkatet i hymnizojnë
Shumë vdesin të marrë e të evidentuar si të padijshëm
Anipse i dinë gurutë i këndojnë lirikat popullore të dashnisë
Provojnë ta shtrydhin frikën ta ndrydhin ankthin
Tërë jetën me gurin e shpresës nën gjuhë jetojnë
Këndojnë urata udhëtimeve të gjata e vdesin të padijshëm
Të mashtruar si fëmijët e kopshteve të cemtë mbesin
S’ i përcjellin fluturimet e zogjve vdesin pa u bërë valë deti
besoni janë edhe budallenj, vrasin mushkonja minj fëmijë
vrasin gra me gjoksa t ‘bukur si koka e Lybotenit, këmbëdrejta si lisat e Sharrit
Njerëzit janë të çuditshëm askush s’ ju bie n ‘fije janë edhe budallenj
O sa budallenj të dashur janë disa nga ta, /kultplus