Kurti për “The Guardian”: Vuçiqi më shan në serbisht në takime, Lajçaku dhe Borrelli nuk e ndërprejnë as s'e dënojnë

Në një intervistë për “The Guardian” dhënë para ngjarjes së rëndë të vrasjes së policëve nga formacione ushtarake të paidentifikuara, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se negociatat me Serbinë kanë mbërrirë “në një rrugë qorre” teksa ka përsëritur se ndërmjetësi evropian Miroslav Lajçak “ka humbur neutralitetin e tij”.

Kurti ka ndarë edhe detaje të pathëna më parë se brenda tryezës së bisedimeve, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e fyen atë dhe se ndërmjetësi Lajçak “nuk bën përpjekje që ta ndëprejë e as ta dënojë”.

“Ai (Vuçiqi) më ofendon dhe më shan në serbisht shumë shpesh gjatë këtyre dy viteve”, i ka thënë Kurti medias “The Guardian”, transmeton nacionale.

“U kam kërkuar ndërmjetësve ta ndërprejnë dhe dënojnë, por kjo nuk ndodhë kurrë”, ka thënë Kurti.

“Ndjehet si një dhunues shkolle të cilit i jepet nderime nga administrata e shkollës, përveç se në këtë rast dhunuesi i shkollës kreu gjenocid dhe është një aleat i vendosur i [Vladimir] Putinit”, tha Kurti.