Imunizohen mbi 95% e fëmijëve të Prishtinës, atyre do t’u shtohen edhe tri vaksina
Çdo vit mbi 95% e fëmijëve deri në 5 vjet në Prishtinë e kryejnë procesin e vaksinimit. Sipas mantelbardhëve, prindërit janë të rregullt në imunizimin e të vegjëlve.
“Interesimi i prindërve është në nivel, përndryshe metodën e punës e kemi me termine dhe kryesisht nuk kemi problem. Mirëpo edhe nëse ndonjë harron, i kemi numrat e telefonit dhe i ftojmë me telefon”, deklaroi Naim Sveçla, specialist i Mjekësisë Familjare në QKMF të Prishtinës.
Ndërkohë që këtë vit në kalendarin e imunizimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike janë shtuar edhe tre vaksina të reja për moshat e hershme.
Mjekët janë aktualisht në fazën e trajnimit nga IKShPK-ja dhe procesi pritet të fillojë në tetor.
“Është fjala për Pneumovax 13, vaksinë për penumoni, një sëmundje e mushkërive mjaft e rëndë, për meningjit, sëmundje shumë e rëndë e trurit, pastaj Rotavirusi, vaksinë për diarre stinore dhe Papilloma virus, për virus të qafës së mitrës”, tha tutje Sveçla.
Ai bën me dije se këto janë sëmundje që rrezikojnë jetën e fëmijëve e vaksinimi do ta evitojë shtrimin në spital dhe me raste edhe vdekjen.