Sindroma e vezoreve policistike PCOs
Sindroma e ovarit policistik është një temë mjaft e përfolur dhe shumë pyetje dhe tema që hapen nëpër diskuzione profesionale lidhen me këtë.
PCOs është një sëmundje metabolike që ndërlidhet me sasinë e shtuar të prezencës së hormoneve mashkullore me gjenezë nga ovari në trupin e femrës.
Diagnoza definitive mund të vihet 6-8 vjet pas menstruacionit të parë ose menarkes, siç e quajmë ne në gjuhën mjekësore, përndryshe shenjat prekursore të PCOs mund t’i hasim që nga lindja.
Vajzat në fëmijërinë e hershme me mbipeshë, fëmijët femër të lindur me peshë të ulët trupore, ose duke u kthyer akoma më mbrapa nënat shtatzënë me fryt të gjinisë femër, të cilat nuk kanë mënyrë të jetesës të shëndetshme, duke mos lënë anash edhe komponentin gjenetik, të gjitha këto i paraprijnë një sindrome të ovarit policistik.
Çka është PCOs?
Eshtë një sëmundje metabolike që në parim ka gjenezën e saj në rezistencën ndaj insulinës, e kjo tregon edhe që shumica e pacientëve kanë mbipeshë, por joçdoherë pastaj me këtë rezistencë ndaj insulinës përcillen me vete në mënyrë zinxhirore një mori çrregullimesh në sistemin hormonal të një femre.
Duke u prodhuar estrogjeni, hormonet gonadotrope në disbalanc LH/FsH raporti në favor të LH, nuk ka ovulacion, nuk prodhohet Progesteron, shtohet prodhimi i hormoneve mashkullore në ovare dhe pakësohet vlera e hormonit lidhës të tyre, gjë që e bën që këto hormone të jenë të lira dhe të japin pastaj shenja klinike, po ashtu në këtë rast krijohen kushtet që të rritet edhe prolaktina.
Duke mos dashur t’ju ngarkoj shumë me këto, shkurt themi që ka një çrregullim të përgjithshëm të statusit hormonal, gjë që shoqërohet pastaj me një pasqyrë klinike të larmishme, duke u nisur nga format me të lehta të PCOs deri tek ato më të rënduarat.
Si diagnostikohet PCOs?
Në Roterdam janë vënë disa kritere të cilat duhet të plotësohen në mënyrë që të themi që kemi të bëjmë me PCOs, ato janë 1. Mungesa e gjakderdhjes menstruale ose cikël i zgjatur menstrual, që vjen si pasojë e çrregullimit hormonal dhe mungesës së ovulacionit.
2. Pasqyrë klinike ose laboratorike që vërteton prezencën e shtuar te hormonit mashkullor në organizmin e një femre, gjë që janë aknet në lëkurë, rritja e shtuar e qimeve trupore në fytyrë dhe në trup.
3. Dukja në ultrazë e ovarit policistik, që nënkupton një vezore me shumë folikuj të madhësive 2-9 mm të rreshtuar në korteks të vezores në formë zinxhirore.
Duhet të plotësohen së paku dy nga këto kritere, në mënyrë që të kategorizohemi si pacient me PCOs.
Nuk mjafton vetëm njëra ose tjetra, ose vetëm me anë të ultrazërit.
Patjetër duhet të bëhen edhe analizat laboratorike.
Pacientët me PCOs mund të jenë me peshë trupore më të shtuar, me rritje të shtuar të qimeve në trup dhe fytyrë, me akne, rënia e flokëve të kokës te femrat, ind dhjamore i grumbulluar në pjesën e mesme të trupit këto që disa elemente të cilat në formë më të lehtë ose më të shprehur mund të paraqitën te pacientët me PCOs.
Duhet të cekim që kjo situatë nuk shërohet, mirëpo vetëm trajtohet me terapi, po ashtu edhe reduktimi i mbipeshës nëse është prezent dhe aktiviteti fizik, ndihmojnë jashtëzakonisht shumë.
Rreth terapisë duhet të këshilloheni me mjekun tuaj po ashtu edhe të rastet që planifikohet shtatzënia kërkohet një terapi specifike.