Tiranë, policia ofron 20 mijë euro për kapjen e të dyshuari që plagosi policin
Autoritetet e Shqipërisë po ofrojnë 20 mijë euro për kapjen e një të dyshuari që ka plagosur një inspektor të policisë.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes pasi që personi në fjalë është i armatosur.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga Renea, po vijojnë ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e personit të armatosur, shtetasit Klerent Bozhanaj, 42 vjeç, që plagosi punonjësin e Policisë, inspektor E. A”, thuhet në komunikatën e Policisë së Shtetit.
“Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë”, thuhet tutje.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.