Stano: Dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë në tryezë, jo në publik e media

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano ka deklaruar sot në një konferencë të mbajtur për media se pritshmëritë e BE-së rreth dialogut Kosovë-Serbi janë bërë të ditura në deklaratën e përbashkët të 27 anëtarëve.

Stano tha se synimi i BE-së është të vazhdojë të zhvillojë dialogun aty ku i takon, pra në tryezën e bisedimeve dhe jo në publik dhe në media.

“Tani u takon të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës, të bëjnë përpjekjet më të mëdha për të arritur progres”, tha ai.

Zëdhënësi i BE-së theksoi se nuk do të prezantojë detaje në konferencë për media për shkak se BE-ja nuk i zhvillon negociatat në publik.

Ai tregon se Bashkimi Evropian ka një rol ndërmjetësues në dialog dhe një rol për të ndihmuar Serbinë dhe Kosovën të arrijnë kompromisin e nevojshëm që do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.