Programi “Promise” mbahet në Portugali, pjesëmarrëse Dushku dhe Medunjanini

Në Lisbonë të Portugalisë më 14/15 shtator janë mbledhur Partneret e Projektit "Promise" dhe ekspertet ndërkombëtare.

Në këtë event kanë marrë pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe menaxherja e projekteve në FBK, Edita Medunjanin.

Qëllimi i këtij takimi ishte të diskutohen rezultatet e hulumtimit, strategjia dhe metodologjia e pilot-programit "Promise".

Projekti "Promise" do të trajtojë çështjen e mungesës së barazisë gjinore në basketboll përmes aktiviteteve të ndryshme dhe zhvillimit të mjeteve që do të nxisin pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në sport në të gjitha nivelet.

Aktivitet e projektit "Promise" synojnë ngritjen e kapaciteteve, organizimin e seminareve për media, programet e shkëmbimit për vajzat e reja sportiste dhe trajnere, aktivitete ndërgjegjësuese, ku numri i personave që do të përfitojnë nga programi do të jetë 950, që vijnë nga grupe të ndryshme: sportiste, trajnere, gjyqtare, media dhe drejtues të federatave.

"Promise" është iniciativë e shtatë organizatave nga gjashtë vende të ndryshme (Portugalia, Spanja, Bullgaria, Franca, Irlanda dhe Kosova), të gatshme të kontribuojnë me përpjekjet e tyre të përbashkëta për të inkurajuar mundësi të barabarta për vajzat dhe gratë në basketboll.

FBK-ja është udhëheqëse e pakos së punës 5 dhe është përgjegjëse për zbatimin e strategjisë së komunikimit dhe shpërndarjes.

Presidenti i Federatës Portugeze të Basketbollit, Manuel Fernandes, mbajti fjalën përmbyllëse, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka zhvillimi i basketbollit të femrave dhe fuqizimi i tyre.

Aktivitetet e radhës kanë të bëjnë me: Vlerësimin e metodologjisë së intervenimit të projektit "Promise" dhe involvimin e grupeve të interesit në projekt. /Zeri.info