Vrasja në Malishevë, Prokuroria tregon për motivin e rastit
Detaje të reja lidhur me vrasjen që ndodhi të martën e 20 shatorit në Malishevë ka dhënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Hekuran Batusha, i cili ka thënë se viktima dhe i dyshuari kishin qenë kolegë të punës.
“Të dy kanë qenë kolegë, kanë punuar me mjete të rënda. I dyshuari është në ndalim për 48 orë”, ka thënë Batusha.
Më tej, ai ka thënë se shkaktarët e kësaj vrasjeje lidhen me punën që e bënin.
“Sipas informacioneve të para, dyshohet se ka qenë një mosmarrëveshje që lidhet me punën”, ka përfunduar ai.
Ndërsa, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, për portalin Dukagjini e ka konfirmuar se një person është gjetur pa shenja jete dhe, sipas tij, ai dyshohet të jetë i qëlluar me armë zjarri.
“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë - Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jete, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij”, ka deklaruar ai.
Më tutje, ai ka thënë se për këtë vrasje një person është vetëdorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë.
“Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, ka thënë Elezaj.
Sipas tij, Policia në bashkëpunim me prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.