Arrihet marrëveshja e armëpushimit në Nagorno-Karabakh

24 orë pasi ushtria e Azerbajxhanit nisi një ofensivë në Nagorno-Karabakh, forcat etnike-armene kanë rënë dakord për kushtet ruse për një armëpushim.

Një nga kërkesat kryesore që forcat e Karabakhut kanë pranuar është propozimi për çarmatim të plotë.

Rreth 120,000 armenë etnikë jetojnë në enklavën e Kaukazit Jugor, e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

Tre vjet më parë, Azerbajxhani rimori zonat në dhe rreth Karabakut dhe të martën kërkoi një dorëzim të plotë, raporton BBC.

Zyrtarët e Karabakut thonë se të paktën 27 persona janë vrarë dhe 200 të tjerë janë plagosur që kur ushtria e Azerbajxhanit nisi operacionet e ashtuquajtura “anti-terror”.

Presidenca e Azerbajxhanit tha se zyrtarët do të takohen me përfaqësuesit armenë të Karabakut në qytetin e Azerbajxhanit Yevlakh më vonë të mërkurën, transmeton Klankosova.tv.

Qyteti është rreth 100 kilometra në veri të kryeqytetit rajonal të Karabakut, Khankendi, i njohur si Stepanakert nga armenët.

Udhëheqësit në enklavë thanë në një deklaratë se përmes ndërmjetësimit të kryer nga paqeruajtësit rusë ishte arritur një marrëveshje për një ndërprerje të plotë të armiqësive nga ora 13:00 me orën lokale (09:00 GMT).

Megjithatë, shpërthime të forta mund të dëgjoheshin ende në kryeqytetin rajonal menjëherë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.