E përsërit në New York, Vuçiq: Nuk e njohim Kosovën e pavarur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë qëndrimit në New York, ku po merr pjesë në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se ka dëgjuar presidentin e SHBA-së, Joe Biden dhe ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në fjalimin në Asamblenë e OKB-së.

 

Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq ka thënë se presidenti amerikan, Biden, në fjalimin e tij përmendi integritetin territorial, sovranitetin dhe vetëm te e treta të drejtat e njeriut si vlera më të larta të njerëzimit.

“Disa herë iu referua Kartës së OKB-së dhe akteve të OKB-së”, tha Vuçiq, i cili shtoi se në fjalimin e tij do të përmend bombardimet e NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë në vitin 1999.

“Edhe tash nuk i njohin rregulloret e OKB-së, përfshirë edhe rezolutën 1244. Ne që jemi të vegjël, më mirë ta kuptojmë me kohë sa të vegjël jemi dhe se të mëdhenjve u lejohet çdo gjë. Ende nuk e kam kuptuar sa të vegjël jemi, ndoshta me këto predikime do të më bindin, por nuk jam i sigurt. Të gjithë të mos e humbin rastin të më japin një mësim për moralin e çdo gjë – si dhe në çfarë mënyre të vendosin sanksione” , tha Vuçiqi.

Presidenti serb ka thënë se është takuar edhe me presidentin turk Recep Tayip Erdogan.

“Kam biseduar me presidentin turk për çështjet rajonale dhe vizitën e tij në Serbi. Do të ketë një takim me Miroslav Lajçak dhe të gjithë me të cilët duhet të diskutojmë situatën në Kosovë”, tha presidenti serb.

“Nuk e njohim Kosovën e pavarur”, ka thënë Vuçiqi. /telegrafi