Oda e Mjekëve për konkursin e MPB-së për inspektorë: Degradim i sistemit shëndetësor
Fakti se Inspektorët e ardhshëm të shëndetësisë mund të kenë më pak shkollim sesa ata që do të inspektohen, konsiderohet një degradim dhe fyerje për subjektin që do të inspektohet.
Ky kriter i çuditshëm që u vendos për herë të parë në një konkurs të 18 majit, që e ka hapur Ministria e Punëve të Brendshme, Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, për nevojat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, është ripërsëritur edhe në atë të 1 gushtit, ku kërkon inspektorë të shëndetësisë.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, e ka vlerësuar këtë konkurs si dis-harmonik mes shpalljes së konkursit dhe ligjeve në fuqi për inspektorët shëndetësorë.
Madje, sipas tij, ky është një degradim i radhës që po i bëhet sistemit shëndetësor në Kosovë.
Sipas Sejdiut, Oda nuk ka ditur gjë për këtë, të cilën e ka cilësuar lëshim e madje ai ka thënë se askush nuk është konsultuar me ta.
Edhe Fejsal Mehmeti, që është kryetar i Këshillit Etik, organ ky i shkallës së parë, i cili fillon procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë së mjekëve që bien ndesh me kodin e etikës, e ka vlerësuar të pakuptimtë inspektimin e kolegëve të tij, me inspektorë, të cilët janë më pak të shkolluar se ata.
Ndonëse për këtë pozitë, sipas konkursit, kërkohen 25 inspektorë, sipas specialistit të mjekësisë familjare, Fejsal Mehmeti, interesimi për pozita të tilla gjithmonë mungon. /klankosova