Policia jep detaje lidhur me rrahjen e trevjeçarit në një çerdhe në Fushë-Kosovë, analizohen raportet mjekësore dhe pamjet
Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth rastit të dyshimit për keqtrajtim të një fëmije trevjeçar në një çerdhe në Fushë Kosovë.
Përmes njoftimit Policia bën të ditur se kanë filluar hetim preliminar për çështjen në fjalë, duke shtuar se po shqyrtohet raportet mjekësore dhe pamjet e publikuara.
Po ashtu Policia ka deklaruar se po koordinohen me prokurorin e shtetit dhe po punojnë me agjencitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe autoritet e tjera përkatëse.
“Ndonëse e kuptojmë interesin e publikut për çështjen, si dhe shqetësimin e komunitetit e veçmas prindërve dhe kujdestarëve, ne duhet të jemi të vëmendshëm për të balancuar nevojën për transparencë me nevojën për të mbrojtur integritetin e hetimit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Për ne siguria dhe mirëqenia e fëmijëve është ndër prioritetet kryesore por njëkohësisht jemi të përkushtuar për të kryer një hetim profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri