Arrestohet një zyrtar i ATK-së, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike (SHKE) ka pranuar informata nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga një zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Policia përmes njoftimit ka bërë të ditur se gjatë veprimeve hetimore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë siguruar dëshmi se personi i dyshuar me dashje dhe dijeninë e tij, ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme duke e keqpërdorur detyrën zyrtare, raporton Zeri.info.

“I dyshuari M. K., viti i lindjes 1969, mashkull/kosovar, kishte lëshuar dokument të rrejshëm në emër të ATK-së, me qëllim që një biznesi të caktuar t’i lirohen pronat e bllokuara”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu sipas njoftimit thuhet se i dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit nga PTH-Prishtinë i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë. /Zëri