ATK-ja shqipton mbi tre milionë euro gjoba te bizneset për shmangie nga tatimi
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka zhvilluar një gamë të gjerë të aktiviteteve për luftimin dhe parandalimin e evazionit tatimor.
Për tetë, ATK-ja ka realizuar 25,407 aktivitete te bizneset, të cilat kanë rezultuar me 3.1 milionë euro gjoba.
Ndërsa, janë kryer 166 aktivitete për shmangie tatimore, prej tyre janë hapur 19 raste nën dyshimin e shmangies tatimore.
"Këto aktivitete janë zhvilluar në linjë me objektivat e përcaktuara në Strategjinë e Përmbushjes 2022-2026, ku pavarësisht pjesës së kampanjave sensibilizuese, te të cilat është relevante rritja e edukimit tatimor dhe informimi profesional rreth obligimeve që kanë ndaj institucionit tatimor, ATK është e shtyrë që të zbatoj në përpikëri – dispozitat ligjore për çdo tatimpagues, të cilët nuk i binden thirrjeve të vazhdueshme që ju bëhen që t’i kryejnë me kohë dhe saktë detyrimet tatimore.
ATK-ja ka përmirësuar kapacitetet e saj për të monitoruar të ardhurat dhe aktivitetet tatimore të bizneseve", njofton ATK-ja.
Kjo është bërë përmes investimeve në teknologji të reja me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë dhe përdorimit të sistemeve të informacionit për të ndjekur transaksionet tatimore.
Tutje thuhet se rezultatet e Administratës Tatimore të Kosovës tregojnë një përpjekje të vazhdueshme për të forcuar sistemin tatimor dhe për të luftuar evazionin tatimor.
"Këto hapa kanë ndihmuar në rritjen e mbledhjes së të ardhurave tatimore dhe në ndërtimin e një mjedisi më të drejtë tatimor për të gjithë tatimpaguesit në Kosovë", thotë ATK-ja.