Avokati i njërës prej të dyshuarave për dhunë ndaj 3-vjeçarit: Po zmadhohet rasti, edukatorja s’është sjellë keq
Avokati Bajram Zogiani, i njërës prej të dyshuarave, Naime Musës, në lidhje me rastin ku dyshohet se ndaj një 3-vjeçari në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë-Kosovë u ushtrua dhunë tha se kjo çështje po hiperbolizohet.
Zogiani tha çështja ndaj fëmijës 3 vjeç po zmadhohet për së tepërmi nga mediat, e veçanërisht nga prindërit.
“Akuzë nuk ka ende. Ajo po dyshohet se u sjellë në mënyrë jo të mirë ndaj fëmijës, gjë e cila nuk është e vërtetë, për të cilën nuk ka bazë. Është një punëtore me përvojë 23-vjeçare.
Asnjëherë më parë nuk ka qenë në ndonjë procedurë disiplinore. Unë i kam parë të gjitha pamjet. Aty është vetëm një ndalesë, e cila i është bërë fëmijës në mënyrë që të mos dalë jashtë objektit, pasi ai është në adaptim njëmujor dhe nuk është duke mundur ta përballojë vendosjen në çerdhe”, tha Zogiani, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ai insistoi se në rastin e 3-vjeçarit nuk ka pasur tërheqje zvarrë nga ana e edukatoreve, por vetëm një ndalese ndaj fëmijës.
“Ende nuk dihet vendimi, pritet. Nuk janë në ndalim e as të arrestuara. Pritet përgjigjja nga prokurori”, tha ai.