Osmani takohet me shefen e MCC-së, flasin për investimin 236-milionësh në fushën e energjisë
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani po qëndron në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Gjatë qëndrimit atje Osmani është takuar me kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.
Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për zhvillimin ekonomik, respektivisht përmes investimeve në sektorin e energjisë në Kosovë nëpërmjet Programit Kompakt.
“Sipas presidentes Osmani, ky program do të japë kontribut strategjik në përmirësimin e infrastrukturës energjetike, fuqizimin e sektorit privat, si dhe do të nxisë mundësitë ekonomike për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në takim u diskutua po ashtu edhe për mundësitë që nëpërmjet mbështetjes së tillë të përmirësohet qeverisja dhe të krijohet një mjedis gjithnjë e më i favorshëm për bizneset dhe investitorët e huaj.
Programi Kompakt kap vlerën prej 236.7 milionë dollarësh dhe është investimi më i madh i pasluftës në fushën e energjisë, i cili do të ketë rol strategjik në procesin e tranzicionit energjetik në Kosovë.
Presidentja Osmani ka theksuar se investimet sikurse ky i MCC-së, më shumë sesa vlerën monetare, shpërfaqin raportin e Kosovës me SHBA-në, një aleate strategjike dhe mbështetëse e madhe në të gjitha fazat.