Aksioni policor në shtatë qytete, arrestohen 10 persona

Policia e Kosovës sot ka kryer një aksion në 14 lokacione, në shtatë qytete të ndryshme të vendit.

Sipas Policisë, aksioni është kryer në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan, pas veprimeve hetimore për një periudhë disamujore, nën dyshimin se disa persona janë përfshirë në veprimtari penale.

Veprimet policore janë kryer në koordinim më Prokurorinë e Shtetit.

Gjatë operacionit policor të sotëm janë arrestuar 10 të dyshuar nën dyshimin se janë përfshirë në veprat penale: “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit” dhe “Hyrje në sistemet kompjuterike”, transmeton Zeri.info.

“Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, kanë përdorur kartelat bankare pa autorizim duke bërë transaksione, tërheqje të parave nga bankomatët dhe blerje të gjësendeve të ndryshme, me kartela bankare të cilat kanë arritur në forma të ndryshme t’i komprometojnë. Në këtë rast janë dëmtuar institucionet financiare (bankat) në Kosovë me mijëra euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në këtë aksion Policia ka sekuestruar prova të ndryshme relevante, përfshirë kompjuterë, telefona celularë, USB, kartela bankare, dokumente, si dhe tre armë dhe municion. /Zëri