Arrestohet 36-vjeçari, po transportonte ilegalisht 12 emigrantë nga Shqipëria për në Kosovë

Policia shqiptare ka arrestuar një 36-vjeçar, pasi dyshohet se kundrejt pagesës prej 600 eurosh për person po transportonte 12 emigrantë, që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me Kosovën.

Ai është kapur në flagrancë nga policia kur me një automjet ishte duke i transportuar emigrantët nga Saranda në drejtim të Kukësit.

“Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Fushë-Krujë, duke transportuar me një automjet, nga Saranda në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 600 euro për person, 12 emigrantë që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe synonin të kalonin po në mënyrë të paligjshme kufirin me Kosovën, me destinacion final vendet e BE-së”, bën të ditur Policia shqiptare.

Emigrantët janë duke u hetuar në gjendje të lirë, njofton Policia. Automjeti që ishte përdorur dhe dy celularë janë sekuestruar.