Borrelli thotë se do t’i njoftojë ministrat e Jashtëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se në New York se do të mbajë një takim joformal me ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së.
Borrell theksoi se në këtë takim ministrat do t’i informojë edhe për atë çfarë ndodhi në takimin e 14 shtatorit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
“Unë do t’i informoj ministrat për takimin e fundit të nivelit të lartë të dialogut [Beograd-Prishtinë], me Kosovën dhe Serbinë, për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur dhe për të parë zhvillimet e ardhshme të dialogut”, u shpreh ai.
Më 14 shtator në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Borrell dhe emisari Mirosllav Lajçak.
Por, takimi u përmbyll pa progres.
Nga BE thanë se progres nuk pati për shkak të qëndrimeve të Kurtit.
Ndërsa Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve në takim.
Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.
Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”.