Kurti mirëpriti ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, George Schnetzer

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, George Schnetzer.

Kurti fillimisht uroi Schnetzerin për punën e re dhe vuri theksin te marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe popujve dhe te mbështetja e vazhdueshme e Austrisë për Kosovën, dhe ai i ofroi ambasadorit bashkëpunim të afërt në thellim të mëtejmë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Ndër tjera kreu i Qeverisë falënderoi Austrinë për mbështetjen në rrafshin e sigurisë me mbi 600 trupa në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe për 14 programet e Agjencisë Austriake për Zhvillim, ndër to ajo në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, ku qeveria këtë vit e ka çuar në 12 numrin total të profileve të arsimit dual bazuar në modelin “Ausbildung” nga katër sa ishin në vitin e kaluar.

“Ambasadori Schnetzer shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen që e ka pranuar në Kosovë. Biseduan për trendin pozitiv të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve. Eksportet e Kosovës në drejtim të Austrisë sivjet janë rritur për 71.7% , kurse ato të shërbimeve për 120% në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkaq, investimet direkte nga Austria në Kosovë në dy vitet e fundit kanë shënuar një rritje për 11.6%”, thuhet në komunikatë.

Ndër tjera ambasadori i ri i Austrisë në Kosovë, veçoi interesimin e tij që të angazhohet në fushën e bashkëpunimit kulturor.

“Në takim po ashtu u bisedua edhe për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon”, thuhet më tej. /Zëri