Qeveria s’ka bërë asgjë për përmirësimin e kushteve në sektorin privat, thotë Tahiri
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas mbledhjes të kryesisë së Kuvendi ka thënë se partia e tij do të adresojë problematikat që e preokupojnë sektorin privat.
Ai ka thënë se Qeveria nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e kushteve të punëtorëve të sektorit privat, shkruan Zeri.info.
“Pas mbledhjës së kryesisë, deklarova se të drejtat e punëtorëve në sektorin privat janë preokupim të cilin Aleanca do ta adresojë në Kuvendin e Kosovës. Kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë për të drejtat e punëtorëve në sektorin privat. Lëre që e ka dëmtuar ekonominë dhe ndërmarrësinë, mirëpo punëtorët në sektorin privat po ballafaqohen me probleme serioze, që ndërlidhën me orë ta gjata të punës, mungesë të kontratave, mungesë të sigurimit, me pagën e ulët minimale, e po ashtu me moskujdesin e kësaj qeverie”, u shpreh ai.
Tahiri ndër tjera përmendi edhe premtimet e bëra nga Qeveria për avancimin dhe përmirësimin e kushteve të këtij sektori, duke thënë se asnjë premtim nuk është mbajtur deri më tani.
“Kjo Qeveri ka ardhur në pushtet duke premtuar të drejtat dhe avancimin e pozitës së punëtorëve në sektorin privat. Kjo nuk ka ndodhur dhe do të trajtohet në një seancë parlamentare të radhës”, shkroi ai në Facebook. /Zëri