Kosova e Maqedonia e Veriut nga sot me pika të përbashkëta të kalimit kufitar
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka nënshkruar marrëveshjen e cila do të mundësojë themelimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut, “Han i Elezit – Bllacë” dhe “Glloboqicë-Jazhincë”.
Kështu njoftoi ai përmes një postimi në Facebook, teksa tregon se e njëjta marrëveshja ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së personave dhe automjeteve.
“Nga sot, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut me pika të përbashkëta të kalimit kufitar. Duke marrë parasysh marrëdhëniet miqësore, bazuar në vlerat e barazisë dhe me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, sot kam nënshkruar marrëveshjen e cila do të mundësojë themelimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut, “Han i Elezit – Bllacë” dhe “Glloboqicë-Jazhincë”. Kjo marrëveshje ka për qëllim thjeshtimin e procedurave dhe lehtësimin e lëvizjes së personave dhe automjeteve”, shkroi ai.
Nga tani e tutje, ministri i këtij dikasteri thotë se qytetarët do të legjitimohen vetëm në njërën pikë kufitare.