“Burdushi” s’shkon në vuajtje të dënimit, mbrojtja paraqiti ankesë në Apel ndaj refuzimit të kërkesës për shtyrje të vuajtjes së dënimit
Mbrojtja e Hysri Peqanit, i njohur si “Burdushi”, ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ia kishte refuzuar kërkesën të njëjtit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për vuajtjen e burgimit prej 4 vjetësh e 6 muajsh.
Mbrojtësi i të akuzuarit Peqani, avokati Fehim Alaj, ka konfirmuar për “Betimin për Drejtësi” se i mbrojturi i tij, Peqani nuk ka shkuar në vuajtjen e dënimit sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë më 21 gusht 2023, me arsyetimin se kanë bërë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe vendimi është i ekzekutueshëm pas vendimit të Apelit.
Ndryshe, urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte urdhëruar “Burdushin” që më 18 shtator 2023, deri në orën 12:00, të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Republikës së Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për të filluar mbajtjen e dënimit me burgim.
Në këtë urdhëresë thuhet se nëse i dënuari nuk vepron sipas urdhëresës, përkatësisht nëse në ditën e caktuar nuk paraqitet në institucionin për mbajtjen e dënimit, gjykata do të lëshojë urdhëresë për ndalim dhe dërgim me forcë për mbajtjen e vuajtjes së dënimit.
Ndryshe, ka komunikuar edhe me zyrtarin e lartë për komunikim për publikun për shërbimin korrektues të Kosovës, Florent Gashi, i cili ka thënë se do të interesohet që të marrë informacion nëse “Burdushi”, është paraqitur në qendrën e paraburgimit në Prishtinë sot deri në ora 12:00. Mirëpo më pas i njëjti ka qenë i paçasshëm.
Mbrojtja e Hysri Peqanit, i njohur si “Burdushi”, kishte kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg për 6 deri në 12 muaj.
Hysri Peqani më 10 janar 2023 ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, 42 mijë euro gjobë dhe ishte urdhëruar konfiskimi i pasurisë në vlerë mbi 2 milionë euro.
Këtë vendim, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar më 5 qershor 2023 për veprat penale: “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “Mashtrim”, “Shpëlarje parash” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Procesi gjyqësor ndaj “Burdushit” ka zgjatur 2 vjet e 2 muaj, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 15 shtator 2020.
Në çështjen penale ndaj tij ishin dëgjuar një sërë dëshmitarësh, dëshmitë e të cilëve ishin ndaluar të publikoheshin deri në përfundimin e gjykimit. /BetimipërDrejtësi