Tahiri: Ky mandat është i fundit për Kurtin si kryeministër
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se ky është mandati i fundit i Albin Kurtit si kryeministër.
Tahiri deklaroi kështu në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
“Ai nuk do t’i ketë as numrat dhe as mundësinë qe ta krijojë një qeveri të dytë. Ai mundohet çdo ditë që ta shtyjë mandatin dhe ju po e shihni se në çfarë katrahure është vendi”, tha Tahiri.
Shefi i deputetëve të PDK-së shtoi se favori më i madh që Albin Kurti mund t’ia bëjë Kosovës është që të japë dorëheqje.
“Vetë fakti që atij i shkon në mendje opozita, ai tregon që frikën e ka pikërisht nga kjo opozitë dhe një gjë e ka të sigurt, që qeveri në mandatin e ardhshëm, kurdo që të mbahen zgjedhjet, qoftë ato në një afat sa më të shpejt apo më të largët, ai nuk do të mund ta krijojë”, tha ai.
Gjatë konferencës për media kryeministri i Kosovës Albin Kurti i është përgjigjur kërkesës së opozitës për të mbajtur zgjedhje.
Kurti deklaroi se nëse shkohet në zgjedhje, opozita do të zhduket.