Media spanjolle: Shqipëria destinacion evropian nën radarin turistik, krenohet me madhështinë e historisë së saj

“Mirë se vini në Shqipëri, një nga vendet më pak të eksploruara në Evropë”, kështu e nis artikullin media e njohur spanjolle Travesías.

U bë e zakonshme tashmë që Shqipëria të rrëmbejë titujt e mediave të huaja, për sa i përket turizmit me vendet dhe traditat e bukura që ofron. Sipas “Travesías” udhëtarët që vijnë këtu habiten nga gastronomia, pasuria kulturore dhe karakteri shqiptar që nuk i ngjan asnjë vendi tjetër.

Ndër qytetet që kanë përmendur janë Tirana, Berati, Gjirokastra dhe Vlora.

Tirana

Shqipëria është një nga vendet më të vogla në Evropë. Me vetëm 28 748 kilometra katrorë, ajo zë vendin e 37-të në kontinent për nga sipërfaqja.

Megjithatë, pavarësisht territorit të saj ajo krenohet me madhështinë e historisë së saj.

Përtej të shkuarës së afërt, diktaturës së Enver Hoxhës dhe integrimit të vështirë të saj në ekonominë globale pas vitit 1991, Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend ndryshe.

Mjafton të lexosh Ismail Kadarenë për të kuptuar se diçka e ndan kulturën shqiptare nga pjesa tjetër e Evropës.

Do të ishte mirë të fillonim me “Dosjen H”, i botuar në vitin 1981, ku Kadare tregon historinë e dy studiuesve të huaj që mbërrijnë në Shqipëri për të studiuar poezinë e saj dhe ndeshen me një botë të mbyllur dhe provinciale; “Pallati i ëndrrave”, një distopi ku qeveria regjistron ëndrrat e secilit prej qytetarëve të saj për t’i kontrolluar ato (në mënyrë të pashmangshme na bën të mendojmë për kohën e diktaturës).

Midis ndërtesave të rrënuara dhe shtëpive të vjetra të shndërruara në klube, bare dhe restorante, lagjja e Bllokut ndihet veçanërisht e qetë gjatë mëngjeseve.

Në Tiranë ka copëza historie gjithmonë të pranishme, nga shtëpia e diktatorit pa asnjë gardh apo ndarje që mund ta mbajë të fshehur nga sytë e udhëtarëve dhe vendasve.