Osmani: Mërgata në SHBA ka qenë forcë shtytëse e shumë proceseve historike për Kosovën
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, nën organizimin e aktivistit të mërgatës shqiptare dhe shërbimeve filantropike, z. Mark Gjonaj, ka takuar një grup të organizatave të komunitetit shqiptar nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Presheva, Medvegja, Bujanovci dhe Mali i Zi, të cilat veprojnë në SHBA.
Sipas Osmanit, ky takim me mërgatën shqiptare është dëshmi e lidhjeve të forta dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit të Kosovës, si dhe komunitetit shqiptar në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Osmani ka falënderuar komunitetin shqiptar, i cili përveçse në forcimin e lidhjeve të Kosovës me SHBA-në, ka ndihmuar shtetin e Kosovës në procesin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.
“Ju jeni forca shtytëse e shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Liria dhe shteti jonë, janë rezultat edhe i angazhimit të vazhdueshëm të mërgatës sonë këtu, ndaj faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe po bëni. Na duhet edhe më tej angazhimi juaj. Kosova ka nevojë për mbështetjen tuaj dhe të SHBA-së. E di që nuk hezitoni, ndaj presim që bashkërisht, pa dallim, të angazhohemi që ta fuqizojmë shtetin tonë, krahas mbështetjes dhe koordinimit me aleatët tanë”, ka theksuar presidentja Osmani.
Sipas njoftimit, Osmani shtroi nevojën e ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe trashëgimisë sonë në Shtetet e Bashkuara, për të cilën gjë tha se rol më rëndësi luajnë shoqatat, të cilat i grumbullojnë shqiptarët.
“Në bashkëbisedim me mërgatën, presidentja Osmani tha se Kosova pret mbështetjen e tyre edhe në fushën e investimeve. Sipas presidentes Osmani, në Kosovë tashmë është krijuar një klimë e përshtatshme për investime, ndaj investimet nga mërgata janë të mirëseardhura”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq përfaqësues të shoqatave që grumbullojnë shqiptarët në SHBA falënderuan presidenten Osmani për takimin dhe shprehën mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe përkushtimin për të ndihmuar iniciativa të ndryshme, të cilat synojnë zhvillimin dhe mirëqenien e shtetit. /Zëri