Kurti: Kosova kërkon zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike
Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thënë se propozimi i Kosovës në raundin e fundit të dialogut në Bruksel bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes.
”Gjithëpërfshirjen për të zbatuar secilin nen e përcakton edhe vetë aneksi i implementimit i miratuar në Ohër. Aty në atë aneks përcaktohet në tri klauzola specifike, që çdo nen i Marrëveshjes Bazike duhet zbatuar dhe palët nuk mund të shprehin obstruksione në asnjë prej tyre”, ka theksuar Kurti në konferencën për media.
Ai tha se në takimin e parë me Borrellin dhe Lajçakun iu kërkua të kalohet menjëherë në procesin e implementimit të Nenit 10. Kurti tha se me këtë rast ua bëri të qartë negociatorëve se një hap i tillë nuk mund të ndërmerret pa një plan të sekuencimit.
Ai tha se në takimin e parë me Borrellin dhe Lajçakun iu kërkua të kalohet menjëherë në procesin e implementimit të Nenit 10. Kurti tha se me këtë rast ua bëri të qartë negociatorëve se një hap i tillë nuk mund të ndërmerret pa një plan të qartë të sekuencimit.
“Të thuash se një marrëveshje meriton të zbatohet vetëm në gjysmën e saj është e njëjtë sikurse të thuash se marrëveshje duhet mbytur. Prandaj, unë nuk e pranova një skenar të tillë sepse për mua dhe Këshillin Evropian një marrëveshje e tillë ekziston dhe nuk mund të zhbëhet nga askush. Pasi përfunduan takimet dhe pas daljes sime në media, ku ekspozova këtë skenar të pakuptimtë, në të cilin synimi është të mbysësh tërë Marrëveshjen Bazike përveç Asociacionit, ndërmjetësi lëshoi për media një dokument sekuencimi për të cilin tha se Vuçiqi e pranoi, e Kurti e refuzoi. Një informacion i tillë është tërësisht i pavërtetë. Shtuar këtu se në atë plan të Lajçakut zbatohet pikërisht ajo çfarë Serbia kërkonte në dokumentin e saj”, shtoi Kurti.
Ai e ka vlerësuar si katrahurë informacionin e dalë nga zyra e Lajçakut, teksa ka thënë se paralajmërimet e Vuçiqit u përputhen me ato që më pas tha ndërmjetësi. Kurti ka konstatuar se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi dhe kundër Marrëveshjes Bazike në veçanti.
“Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen kundër Kosovës. Me situatën që jemi vlerësoj që nuk mund të shtrembërohen gjërat me asnjë hedhje të hirit syve. Ose do të zbatojmë Marrëveshjen Bazike në tërësi të saj, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që dëshiron Serbia. Kjo logjikë ka vdekur dhe një Republikë e pavarur e Kosovës nuk mundet, nuk duhet dhe nuk do të ecën në një shteg të tillë”, ka thënë kryeministri. /rtk