Kurti jep detaje për takimin me Vuçiqin, ripërsërit propozimin që ua bëri përfaqësuesve të BE-së
Kryeministri Albin Kurti, pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, u është drejtuar qytetarëve me një konferencë për medie.
Për takimin e 14 shatorit që rezultoi i pasuksesshëm Kurti dha detaje bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi. Ai edhe një herë ka ripërsëritur propozimin që ua bëri përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE).
Sipas tij, takimi s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit, para zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Ai shton se Asociacioni nuk mund të jetë kusht për zbatimin e marrëveshjes dhe se çështja duhet të zgjidhet në kuadër të dhjetë pikave të Marrëveshjes Bazë.
Pas disa orësh takime të ndara me diplomatët e BE-së, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, dhe pas një takimi trepalësh, Kurti dhe Vuçiqi nuk kanë arritur të pajtohen për zbatimin e Marrëveshjes Bazë Kosovë-Serbi.
Përderisa përfundimi pa rezultat i takimit të 14 shtatorit ka ngritur pikëpyetje për të ardhmen e procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Madje si rezultat i kësaj, po kërkohet që Shtetet e Bashkuara të përfshihen direkt në procesin e dialogut.
Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka pritur rezultate më konkrete gjatë takimit të fundit.
Lajçaku tregoi se pas takimit të nivelit të lartë, u është drejtuar ambasadorëve të vendeve anëtare BE-së në Bruksel për detajet e takimit.
E presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses, pasi Kurti, sipas tij, “e refuzoi propozimin evropian”.