Osmani udhëton për në SHBA, merr pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në New York, për të marrë pjesë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Zyra e Presidentës dhe po ashtu ajo do të takojë edhe liderë botërorë e ogranizata ndërkombëtare në kuadër të kësaj vizite, raporton Zeri.info.

“Presidentja është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.Ndërkaq, Zotëria i Parë, gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në takimet me homologët e saj, Osmani do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ajo poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate.

“Përveç takimeve, Presidentja do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA.Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA”, thuhet ndër tjera. /Zëri