Asambleja e OKB-së, Begaj niset për në New York

Presidenti i vendit Bajram Begaj është nisur për në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku do të kryesojë delegacionin e Shqipërisë, që do të marrë pjesë në Sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas njoftimit të Presidencës, kreu i qeverisë do të mbajë fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

“Së bashku me kryetarët e shteteve/qeverive të të 193 vendeve anëtare të OKB-së, Presidenti Begaj do të mbajë fjalën, në cilësi kombëtare, në Debatin  e Përgjithshëm të AP të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Begaj, do të marrë pjesë edhe në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i cili do të mbahet në Nju Jork, në vigjilje të Sesionit të 78-të të AP të OKB.

“Edhe në këtë forum, Presidenti do të mbajë fjalën, në emër të Shqipërisë, në Segmentin e dedikuar të Dialogut të Udhëheqësve, përkrah kryetarëve të delegacioneve zyrtare  të vendeve të tjera”, thuhet më tutje në njoftimin.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Begaj do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me krerë të tjerë shtetesh dhe zyrtarë të lartë amerikanë, por edhe me përfaqësues të shoqatave të diasporës shqiptare në SHBA./atsh