Pabarazia gjinore në tregun e punës - çka tregojnë të dhënat?

Për së paku trembëdhjetë vjetët e fundit në Kosovë, tregu i punës është dominuar nga burrat - qoftë sa i përket shkallës së punësimit, drejtimit të bizneseve apo pagave që marrin.

Të dhënat e Anketave të Fuqisë Punëtore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) - e fundit e publikuar më 31 gusht - tregojnë se gjatë tre vjetëve të fundit është rritur dallimi mes shkallës së punësimit të burrave dhe grave në Kosovë.

Nga viti 2020 deri në vitin 2022, 6.6 për qind burra më shumë kanë hyrë në tregun e punës, në krahasim me rritjen për 4.3 për qind të numrit të grave.

Rritja e pabarazisë gjinore në tregun e punës

Që nga viti 2020, gjithnjë e më shumë burra dhe gra janë punësuar në Kosovë. Megjithatë, ky trend ka rritur pabarazinë gjinore në tregun e punës pasi që rritja ka qenë më e dukshme te burrat, që veçse ishin të punësuar në një përqindje më të lartë.

Dallimi në shkallën e punësimit të grave dhe burrave në Kosovë vërehet te të gjitha grup-moshat. Dallimi më i madh shihet te grup-mosha nga 35 deri në 44 vjeç.

Dallimi mes shkallës së punësimit të grave dhe burrave

Në Kosovë, burrat e të gjitha grup-moshave janë të punësuar në një përqindje më të lartë sesa gratë. Dallimi më i madh vërehet te grup-mosha nga 35 deri në 44 vjeç - ku shkalla e punësimit te burrat arrin në 67 për qind, ndërsa te gratë është 24.5 për qind.

Dallimi në shkallën e punësimit të grave dhe burrave në moshën nga 35 deri në 44 vjeç ka shkuar duke u rritur pas fillimit të pandemisë COVID-19. Në vitin 2022, shkalla e punësimit te burrat e kësaj grup-moshe ishte për 42.5 për qind më e lartë sesa te gratë.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se një pjesë e madhe e grave në Kosovë bëhen nëna pikërisht në moshën nga 35 deri në 44 vjeçe.

Mosha e nënave që lindën fëmijë gjatë vitit 2022

Gratë në grup-moshën 25 deri në 29 vjeçe lindin më së shumti fëmijë në Kosovë, ndjekur nga gratë në grup-moshën 30 deri në 34 vjeçe.Statistikat e publikuara nga ASK-ja ndër vite gjithashtu tregojnë se, në çdo nivel të arsimimit, burrat kanë më shumë gjasa të punësohen sesa gratë. Megjithatë, dallimi është më i vogël në kategorinë e grave dhe burrave që posedojnë diplomë universitare.

Pavarësisht nivelit të arsimimit, gratë më pak të punësuara sesa burrat

Në secilin nivel të arsimimit, burrat janë më të punësuar sesa gratë. Dallimet shihen qysh te kategoritë që nuk janë shkolluar fare - ku vetëm 0.9 për qind e grave janë të punësuara, në krahasim me 11.1 për qind të burave.

Dallimi në punësim mes grave dhe burrave të arsimuar

Në vitin 2022, më së paku dallim mes shkallës së punësimit të grave dhe burrave ka pasur në kategorinë e burrave dhe grave me diplomë universitare. Për më shumë se një dekadë, dallimi mes punësimit të këtyre kategorive nuk është rritur asnjëherë më shumë se 23,2 për qind, sa ka qenë në vitin 2019.Kjo mund të sinjalizojë një ndryshim në tregun e punës në vitet e ardhshme, pasi që të dhënat e Universitetit të Prishtinës tregojnë se dukshëm më shumë vajza ndjekin arsimimin e lartë. Ky dallim është rritur me kalimin e viteve.

Kush studion në Universitetin e Prishtinës?

Gjatë dekadës së fundit, dallimi mes numrit të vajzave dhe djemve që ndjekin studimet në Universitetin e Prishtinës është rritur ndjeshëm. Në vitin akademik 2022/2023, numri i vajzave në këtë universitet ka qenë pothuajse dyfish më i lartë sesa i djemve.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU: