Nis ndërtimi i një memoriali në vendin ku për herë të parë doli publikisht UÇK-ja

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura njofton se sot (e shtunë) është vënë gurthemeli i ndërtimit të një monumentali në Llaushë të Skenderajt, aty ku ka qenë dalja e parë publike e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Përmes një postimi, Kryetari Nura bëri i ditur se në vënien e gurthemelit ishin të pranishëm dhe “nënkryetari gjeneral” Sami Lushtaku, komandanti Jetullah Geci, deputetë të Parlamentit të Kosovës, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e bashkëqytetarët.

“DALJA PUBLIKE E UÇK-së! Bashkë me nënkryetarin gjeneral Sami Lushtaku, komandantin Jetullah Geci, deputetë të Parlamentit të Kosovës, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve, invalidët dhe bashkëqytetarët, vumë gurthemelin e ndërtimit të një vepre monumentale të kujtimit të pavdekshëm dhe nderimit të përjetshëm të çastit më historik të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë më 28 nëntor 1997. Mirënjohje e përjetshme për UÇK-në!”, shkruan Kryetari i Komunës së Skenderajt.